FjaIa E Parë Që E Ka FoIur Isai Alejhi Selam Në Djep! Emocionuese..!

Uncategorized

Falënderimi i takon Allahut,paqja dhe mëshira qofshin mbi të Dërguarin e Allahut (a.s.).

Isai njihet ndryshe dhe me emrin Mesih. Thuhet Mesih sepse erdhi si fshirës i së kotës dhe përhapës i së drejtës. Gjithashtu thuhet se këtë emer ai e mori për shkak të udhëtimeve të shumta. Ai nuk kishte shtëpi dhe vend të tijin. Gjithashtu, thuhet se u quajt Mesih për shkak se kur lindi, nëna e tij Merjemja e leu me vaj.

Lindja e Isait (a.s.)

Allahu a.xh. në Kuran thotë: “Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u largua nga familja e saj në një vend në lindje, duke e fshehur veten nga ata. – ajo jetonte në lindje të Jerusalemit, larg syve të njerëzve. Ajo nuk lejonte askënd ta vizitojë dhe nuk e vizitonte askënd. Të afërmit ia dërgonin ushqimin pranë derës dhe ajo e merrte më pas, ashtu siç merrte furnizim edhe nga vetë Zoti. Vetëm Zekerija a.s. kishte të drejtë ta vizitonte. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare asaj i shfaqet Xhibrili a.s. në dhomën ku ishte izoluar dhe adhuronte Zotin – Ne i dërguam Shpirtin Tonë ( Xhibrilin), i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë. – ishte një njeri i hijshëm dhe pa asnjë të metë – Ajo i tha:“Unë kërkoj të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut – (nëse beson dhe i frikësohesh Zotit, mos më prek me dorë) – Ai tha: “Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.”Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!” Iu përgjigj: “Kështu është vullneti i Zotit ! Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë” dhe kjo është punë e kryer.” (Merjem, 16-21).

Sipas transmetimeve të sakta, Xhibrili (a.s.) i fryu Merjemes tek e çara e jakës nga pjesa e kraharorit, frymë e cila i depërtoi brenda ne mitër dhe në çast ajo mbeti shtatzënë. “Ajo mbeti me barrë.” (Merjem, 22)

Merjemja (a.s.) vazhdoi e mbyllur në faltoren e saj, larg syve të njerëzve, derisa filloi të ndjejë se ka ardhur koha të lindë. Atëherë ajo doli nga faltorja dhe eci një distancë të konsiderueshme, derisa mbërriti në Betlehem. “..u tërhoq me të në një vend të largët.” (Merjem, 22)

Pak para se të mbërrijë në Betlehem, asaj i fillojnë dhimbjet e lindjes. Ajo qëndron dhe mbështetet tek një trung i tharë palme aty pranë. Thotë Zoti në Kuran duke përshkruar këtë moment: “Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një palme.”

Merjemja a.s. ishte shumë e frikësuar për këtë që po i ndodhte. Vallë si do të kthehej tek njerëzit e saj me një fëmijë?! Çfarë do të thoshin njerëzit kur ta shihnin? Fjalët e mëposhtme tregojnë më qartë frikën e saj nga skandali që mund t’i ndodhte – Ajo tha: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!” (Merjem, 23).

Në një moment, ajo dëgjon një zë që e thërret nga poshtë. Disa mendojnë se ai zë ishte i djalit të saj të porsalindur Isait (a.s.), ndërsa disa të tjerë mendojnë se ishte zëri i Xhibrilit (a.s.), i cili buronte nga nëntoka “Një zë e thirri nga poshtë: “Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje!”(Merjem, 24).

Me të hedhur shikimin poshtë, ajo dalloi një burim uji. Edhe kjo ishte një mrekulli që Zoti ia jepte për ta qetësuar. Një mrekulli tjetër në ato çaste ishte dhe vetë trungu i palmës, i cili siç thamë ishte i tharë, pa gjethe dhe fruta. Allahu a.xh. thotë: “Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta! Ha, pi dhe qetësohu.” (Merjem, 25-26).

Me ta shkundur trungun e palmës, menjëherë filluan të bien hurma (arabe) të freskëta. Këto mrekulli e qetësuan Merjemen (a.s.), pasi u sigurua se gjithçka që po i ndodhte ishte sipas një plani hyjnor. Zëri e urdhëroi që të mos flasë kur të kthehet tek njerëzit e saj, por me shenja t’ju tregojë se agjëron “Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj:“Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” (Merjem, 26).

Pasi u çlodh dhe u qetësua, ajo u kthye tek njerëzit e saj me foshnjen në krahë “Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme! O motra e Harunit!” (Merjem, 27-28).

Thuhet që Merjemeja (a.s.) kishte një vëlla me emrin Harun, për këtë ata e thirrën si motra e Harunit. Kjo ceket dhe në një hadith të saktë, kur profeti Muhamed (a.s.) dërgon një nga shokët e tij tek të krishterët e Nexhranit. Ndër të tjera, ai u lexoi edhe ajetet e lartpërmendura. Kur të krishterët i dëgjuan, i thanë: “Pse thonë se Merjemja ka qenë motra e Harunit, ndërkohë që Haruni ka jetuar në kohën e Musait?!” Sahabi kur u kthye tek Profeti a.s., ia përcolli këtë pyetje. Ai u përgjigj: “Po a nuk e dinin se njerëzit e asaj kohe u vinin fëmijëve emrat e profetëve të mëparshëm?!” Pra, Haruni nuk ishte profeti, vëllai i Musait (a.s.). Një mendim tjetër lidhur me këtë është se ashtu si Haruni a.s. shquhej për adhurimin e shumtë, edhe Merjemeja a.s. shquhej për diçka të tillë. Prej këtu, njerëzit e quanin motra e Harunit (a.s.).

“Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.” (Merjem, 28).

Si është e mundur që ti vajza e dy prindërve të ndershëm, të bësh një vepër të tillë?! Merjemja (a.s.) nuk u ktheu përgjigje, por u bënte me shenjë drejt djalit që mbante në krahë: “Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: “Si t’i flasim nje fëmije te porsalindur foshnje.?”(Merjem, 29).

Njerëzit i kuptuan shenjat e saj, por nuk kuptonin si mund të flasin me një foshnje të porsalindur. Atëherë ndodh mrekullia tjetër, ku Isai (a.s.) i porsalindur flet. Të gjithë njerëzit filluan të dëgjojnë gojëhapur: “Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe të jem i mirë e i sjellshem me nënën time dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 30-33).

Allahu i Lartësuar komenton më poshtë lidhur me këto fjalë: “Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë. Allahu nuk ka nevoje të marrë dikë për bir. Qoftë i dliresuar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo bëhet. (Isai tha): “Vërtet, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është udha e drejtë”.” (Merjem, 34-36).

E tillë ishte lindja e profetit Isa (a.s.), i cili ishte vetëm profet dhe i dërguar i Zotit dhe asgjë më shumë. Duke u përgjigjur pretendimeve të krishterëve se Isai (a.s.) ishte bir i Zotit, Zoti thotë në Kuran: “Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!”, sepse vetë Mesihu ka thënë: “O bijtë e Izraelit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës. Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej Trinisë!” Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm. Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë! Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë. Që të dy, hanin ushqim. – Kësisoj nuk mund të jetë zot, pasi Zoti i vërtetë nuk ka nevojë të ushqehet – Shiko si ua shpjegojmë atyre shpalljet tona dhe shih si largohen nga e Vërteta! Thuaju (o Muhamed): “Si mundet vallë, që ju adhuroni në vend të Allahut, atë që nuk është në gjendje t’ju sjellë as dëm e as dobi, ndërkohë që Allahu dëgjon dhe di çdo gjë?!” (Maide, 72-76).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *